Juventus, ja 5 lojtarët që pritet të largohen këtë verë nga Zonja e Vjetër

Sport

Penalizimi me 10 pikë i Juventusit në Serie A, për shkak të mashtrimit financiar, pritet të shkaktojë pasoja edhe në radhët e lojtarëve të skuadrës. Një mungesë në Champions League për sezonin e ardhshëm, do të thotë më pak të ardhura në arkat e klubit, diçka që mund të përkeqësojë edhe më tepër situatën financiare të Zonjës së Vjetër.

Në kushte si këto, mediat e huaja, bëjnë me dije se të paktën 5 lojtarë do të largohen këtë verë nga Juventusi. I pari që mund të paketojë valixhet nga skuadra torineze, është Paul Pogba. Ndonëse u rikthye me bujë në “Allianz Stadium”, në aspektin personal, ky edicion mund të konsiderohet për t’u harruar për francezin, i cili si pasojë e dëmtimeve të shumta, mund ka mundur të jetë në dispozicion të skuadrës, thuajse aspak.

Pavarësisht problemeve fizike, duke marrë parasysh që Zonja e Vjetër, mund të përfshihet në një situatë tranzicioni, kampioni i botës në 2018-tën, mund të mendojë largimin nga gjigantët e Serie A dhe të shohë për një tjetër destinacion. Ndërsa ka edhe 3 vite të tjera kontratë me Juventusin, francezi paguhet 8 mln euro në sezon dhe pikërisht pretendimet e mëdha financiare, mund të kthehen në një problem për vetë lojtarin për të gjetur një klub të radhës, për më tepër duke marrë parasysh edhe paqëndrueshmërinë e tij fizike.
Më tej, një tjetër lojtar që mund të largohet këtë verë nga Juventusi, është portieri Wojciech Szczesny. Polaku, ka edhe një vit kontratë me Juventusin, por duke marrë parasysh që arkëton 6.5 mln euro në vit dhe është një prej më të paguarve në klub, atëherë është mëse e mundshme që Juventusi të jetë i hapur për të dëgjuar ofertat për shtatlartin e katërkëndëshit.
Adrien Rabiot është lojtari i radhës që së shpejti mund të paketojë valixhet nga Zonja e Vjetër. Francezi është në muajt e fundit të kontratës me klubin italian dhe ky penalizim i Juventusit, thuajse ka hipotekuar largimin e tij nga bardhezinjtë. Po ashtu, në të njëjtën situatë gjendet edhe Angel Di Maria. Kontrata e argjentinasit është e vlefshme deri në fund të Qershorit, e mesa duket, aventura e kampionit të botës në “Allianz Stadium” do të zgjasë vetëm një edicion.

Lojtari i 5-të që pritet të largohet këtë verë nga organika e Juventusit është Dusan Vlahoviç. Një vit e gjysmë më parë, sulmuesi zbarkoi në Torino me petkun e goleadorit, si personazhi që do të zgjidhjte problemet e repartit të avancuar. Mirëpo, periudha e deritanishme nuk ka shkuar sikurse duhet për serbin, i cili jo pak herë, e ka parë emrin e tij të lakohet në merkato. Duke marrë në konsideratë problemet aktuale që kanë mbështjellë Juventusin, bëhet mëse e besueshme që Vlahoviç do të largohet këtë verë nga bardhezinjtë. Klubi synon të arkëtojë të paktën 70 mln euro nga shitja e tij, çka do të ndihmonte jo pak, gjendjen financiare të Zonjës së Vjetër.