Juventus gjithnjë e më pranë Rabiot, por ‘ëndrra’ mbetet…

Sport

Juventus vijon lëvizjet në merkato dhe raportimet e fundit nëpër media flasin për një akord verbal mes kampionëve të Italisë me mesfushorin francez, Adrien Rabiot. Ky i fundit do të largohet me parametra zero nga PSG dhe prej kohësh ishte në bisedime me bardhezinjtë. Por drejtuesit e Juventus nuk kërkojnë të nxitojnë, pasi ‘ëndrra e verës’ për ta duket të jetë Paul Pogba. Drejtori sportiv i klubit italian, Fabio Paratici, pranoi se Pogba mbetet një figurë shumë e dashur për drejtuesit dhe tifozët bardhezi, çfarë në një farë mënyre konfirmoi përpjekjet e Juventus për të rikthyer në skuadër kampionin e botës. Pogba u largua nga Juventus në verën e vitit 2016, kur Manchester United pagoi 105 milionë euro për kartonin e tij.

26-vjeçari francez e ka pranuar se mund të largohet nga ‘djajtë e kuq’ dhe Juventus është një nga dy alternativat që ai do ta shqyrtonte me kujdes. Për të arritur tek Pogba, Juventus do të duhet jo vetëm të plotësojë kërkesat e larta ekonomike të Manchester United, por edhe të mposhtë konkurencën e Real Madrid, që kërkon të transferojë njërin mes Pogba e Eriksen për të mbyllur revolucionin e kësaj vere. Juventus nga ana tjetër po shqyrton mundësinë që në marrëveshjen që do të sjellë Pogba në Torino, të përfshihen edhe lojtarë që mund të mos jenë në planet e Sarrit. Reparti i sulmit është disi i mbingarkuar dhe prej disa kohësh flitet se mund të sakrifikohet njëri mes Mandzukic, Douglas Costa apo Paulo Dybala.