Juventus gjen akordin me lojtarin që e eleminoi nga Champions

Sport

Është vetëm 19 vjeç, ka çmendur Europën në sezonin e fundit dhe është shndëruar së fundi në një nga më të kërkuarit në merkaton evropiane. Mirëpo duket se Matthijs de Ligt ka marrë më në fund një vendim për të ardhmen. Sipas Sky Sport në Itali, mbrojtësi i Ajaksit ka arritur marrëveshjen me Juventusin dhe do të vishet barrdhezi, sapo dy klubet të bien dakord për shifrën që do të kushtojë ky transferim. Mbrojtësi holandez në sezonin e fundit ishte ai që eliminoi Juven nga Liga e Kampionëve, me golin e shënuar në ‘Allianz Stadium’.


Nga të dhënat që vijnë nga Italia, De Ligt do të firmosë një kontratë prej 5 vitesh, me 12 milionë euro në sezon. Vërtet një shifër e frikshme për një djalosh aq të ri. Gjithashtu në marrëveshje do të jetë e përfshirë edhe një klauzolë për shitjen e lojtarit – siç është kërkuar nga agjenti i tij, Mino Raiola – që do të jetë rreth 150 milionë euro. Nga ana tjetër, Ajax pret 75 milionë eurot që i takojnë, sepse aq ka vendosur si çmim prej kohësh për talentin holandez që luan edhe për Kombëtaren e “tulipanëve”. Së fundi, në një intervistë me ‘Voetbal International’, mbrojtësi foli kryesisht për marrëdhëniet e tij me Cristiano Ronaldon. “Kur luanim gjatë fëmijërisë në park, gjithmonë dëshiroja të isha… Cristiano Ronaldo. Kjo ndodhi sidomos kur ishte në Manchester United. Në të vërtetë, fanela ime e parë ishte pikërisht e Cristianos”, tregoi ai. Por ja që tani, si një ëndërr që realizohet, De Ligt mund të bëhet shok skuadre me idhullin portugez.