Juventus e mbyll me fitore turneun amerikan; bardhezinjtë mposhtën Real Madrid

Sport

Juventus dhe Real Madrid kanë përmbyllur me ndeshjen mes tyre turneun amerikan, me bardhezinjtë që dhanë një provë mjaft bindëse për trajnerin Allegri, duke mposhtur 3-1 ‘los blancos’. Moise Kean ishte ai që zhbllokoi rezultatin vetëm pak pas nisjes së takimit, ndërsa në minutën e 20, ishte Weah që dyfishoi, në atë që ishte goli i tij i parë me fanellën e torinezëve. Real Madrid u rikthye në lojë në minutën e 38, me Vinicius Junior që shfrytëzoi më së mirë një gabim të bardhezinjve. Madrilenët u përpoqën të barazonin sfidën, duke ushtruar gjithnjë e më shumë presion, por lojtarët e Allegri-t rezistuan mjaft mirë, derisa erdhi edhe goli i Dusan Vlahovic me kundërsulm në kohën shtesë, çfarë vulosi edhe rezultatin në 3-1.

Me golin e shënuar ndaj Real Madrid, Vlahovic u përpoq të jepte edhe një mesazh, në lidhje me zërat e merkatos. Sulmuesi serb duket se kërkon të vijojë të luajë si lojtar i Juventus-it dhe se ndihet gati për të bërë një sezon të mirë, për të larguar zhgënjimin e edicionit të kaluar. Së fundmi është folur se Vlahovic mund të përfundojë tek Chelsea, me anë të një shkëmbimi me Romelu Lukaku-n, teksa klubit anglez mund të shtojë deri në 20 milionë euro, ndërkohë që tek Juventus-i pretendojnë më shumë.

Sa i përket takimit të fituar ndaj Real-it, trajneri Massimiliano Allegri është shfaqur i kënaqur me atë që ka parë skuadra, jo vetëm në sfidën ndaj ‘los blancos’, por përgjatë gjithë turneut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri 1 i stoli mendon se lojtarët e rinj kanë ende nevojë për kohë, për të qenë në një linjë me pjesën tjetër të ekipit, por ka marrë sinjale të mira, me Weah që ia doli të gjente rrugën e rrjetës. Ndërsa në kampin e spanjollëve nuk shqetësohen aspak me humbjen. ‘Los blancos’ mezi presin të kthehen në Madrid dhe të vijojnë përgatitjet e tyre, pasi fizikisht, stafi ka kërkuar një nivel më të lartë nga lojtarët.