Bilancet negative prej 254 mln eurosh të Juventusit për sezonin 2021/22, janë një mesazh i qartë se në verën e ardhshme, skuadra ka nevojë për revolucion. E në fakt kështu duket se do të ndodhë. Raportimet e mediave përtej detit bëjnë me dije se nga bardhezinjtë mund të largohen Juan Cuadrado dhe Alex Sandro. Të dy mbrojtësit në fjalë, tashmë janë mbi 30 vjeç, e në këtë mënyrë, nuk garantojnë më edhe shumë sezone në Allianz Stadium.
Mirëpo, nuk është vetëm kjo arsyeja e një largimi të mundshëm të tyre. Aspekti financiar është një tjetër factor thelbësor që mund t’i detyrojë lojtarët në fjalë të paketojnë valixhet në fund të sezonit. Si braziliani, ashtu edhe kolumbiani, janë dy prej futbollistëve më të paguar të skuadrës, konkretisht me nga 5 dhe 6 mln euro sezonit. Në këtë mënyrë, largimi i tyre do lehtësonte ndjeshëm edhe financat e klubit.
Problemi i vetëm i Juventusit në këtë mes është vetëm fakti se të dy mbrojtësit do largohen me parametra zero, pasi që të dy ndodhen në vitin e fundit të kontratave përkatëse. Pra, është e vërtetë se Juventusi mund të lehtësohet në çështjen e pagave, por në të njëjtën kohë është duke i dorëzuar lojtarët pa asnjë përfitim.
Një tjetër lojtar që pritet të largohet nga klubi torinez është Adrien Rabiot. Edhe francezi është pjesë e listës së futbollistëve më të paguar të skuadrës bardhezi. Mirëpo, ashtu sikurse Alex-Sandro dhe Cuadrado, edhe mesfushori do largohet me parametra zero nga Allianz Stadium, duke qenë se i skadon kontrata në fund të këtij sezoni.
Megjithatë, Juventusi këtu mund të ngushëllohet disi, sepse në verën e 2019-tës, Rabiot u transferua në Torino pikërisht me parametra zero nga skuadra e PSG. Përveç futbollistëve në fjalë, në verë, nuk përjashtohet që Juventusi të bëjë ndryshime edhe më të mëdha, në përpjekje për të përmirësohet situata financiare e klubit.