Për shkak të lëndimeve, në asnjë nga dy ndeshjet kundër Juventusit në Champions League nuk do të luajnë Arda Turan dhe Marco Pjaca. Lajmi ka gjetur konfirmime si nga përfaqësueset por edhe nga klubet respektive. Barcelona përmes një komunikate-për-shtyp ka saktësuar se Turan nuk do jetë në dispozicion të Luis Enriques për ndeshjet e 11 dhe 19 prillit që vendosin për biletat gjysmë-finale të Ligës së Kampionëve. 30-vjecari ka pësuar një lëndim muskulor me kombëtaren turke dhe sipas ekzaminimeve mjekësore atij do t’i duhen të paktën 3 javë për t’u riaftësuar. Me gjasa rikthimi parashikohet të jetë më 23 prill. Këtë sezon Turan ka humbur 9 ndeshje me një total prej 30 ditësh mungesa, për shkak të një lëndimi në brryl, gjendjes gripale apo problemeve muskulore. Kjo ndalesë është e psta në radhë dhe duket të jetë më problematikja, pasi e ndalon të luajë në 5 ndeshje, ku më kryesoret, sigurisht janë përballjet me Juventusin. Por edhe te Zonja e vjetër, ka pasur lajme të këqija. Edhe për ta kundër Barcelonës në Champions do ketë mungesa në të dyja ndeshjet. 21-vjecari Marko Pjaca thuhet se ka këputur ligamentin kryqëzor të gjurit të djathtë. Për talentin kroat ky lëndim duket se do t’i vërë seriozisht në rrezik karrierën, pasi për të ky sezon konsiderohet i mbyllur. Në fakt që pas transferimit nga Dinamo e Zagrebit Pjaca nuk mundi të luajë për 14 ndeshje, me një total prej 73 ditësh mungesa. Lëndimi në zonën kockore të këmbës nën gju ishte problemi kryesor, por goli ndaj Portos në fillim të muajit mars në Champions dha iluzionin se problemet ishin tejkaluar.