Juventus, Arrivabene hedh poshtë mundësinë e afrimit të Pogba

Sport

Një takim mes drejtuesve të Juventus-it dhe përfaqësuesve të Paul Pogba ka rritur spekulimet e një rikthimi të mundshëm të mesfushorit francez në radhët e bardhezinjve. 29-vjeçari prej kohësh përflitet për një largim nga Manchester United, ku Pogba nuk ka hezituar të pranojë se nuk ndihet më i lumtur e as i përmbushur me projektin e ‘djajve të kuq’.

Kontrata e tij klubin anglez skadon në fundin e këtij sezoni, prandaj, janë të shumta skuadrat që kanë shfaqur interesin për të firmosur me kampionin e botës. Por për momentin, një rikthim tek Juventus-i është hedhur poshtë nga numri 1 i klubit torinez, Maurizio Arrivabene. Administratori i përgjithshëm i bardhezinjve është shprehur se takimi me përfaqësuesit e Pogba ka ardhur për qëllime të tjera dhe jo për të biseduar një transferim të tij tek Juventus-i.

Siç vetë Arrivabene shpjegoi, agjentët e Pogba janë njëkohësisht edhe agjentët e Moise Kean dhe Luca Pellegrini-t, kështu që takimi me ta nuk ka pse të trajtohet si diçka anormale. Pogba, sipas administratorit të bardhezinjve është një lojtar i Manchester United, e për këtë arsye ai kërkon respekt nga ana e medias, që duhet të qartësojë situatat përpara se të publikojë lajme të tilla. Arrivabene e pranoi se Paul Pogba është një lojtar i klasit botëror që çdo skuadër do e donte në organikën e vet, por për momentin, francezi sipas tij nuk është një objektiv i merkatos së Juventus-it.

Paul Pogba luan tek Manchester United që nga vera e vitit 2016, kur klubi anglez shpenzoi plot 105 milionë euro për të blerë kartonin e tij, pikërisht nga skuadra e Juventus-it. Me fanellën e bardhezinjve, Pogba luajti 178 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 34 gola të shënuar dhe 40 asiste.