Juventus përballet sonte me Ajax, në ndeshjen e kthimit në Champions League. Ja si janë shprehur për sfidën e sotme Erik ten Hag dhe Andre Onana. Ndiqni duelin live në Tring Sport 2 HD.
“Nuk mendojmë shumë për rezultatet e mërparshme. Jemi të përqëndruar për të bërë mirë në këtë takim të sotëm, pasi e dimë se kemi mundësitë tona. Cristiano Ronaldo është një lojtar i madh, por ne nuk do vendosim dikë që ta markojë gjatë gjithë lojës. Do të vazhdojmë të mbrohemi dhe të sulmojmë sipas mënyrës sonë. Frenkie de Jong është në dyshim dhe mbetet për t’u parë nëse do t’ja dalë të zbresë në fushë apo jo. Gjithësesi, kam një grup lojtarësh vërtet shumë të mirë dhe kemi alternativa për të zëvendësuar këdo. Juventusi është sigurisht favorit në këtë takim, për më tepër pas rezultatit që arritën në Amsterdam. Por nëse luajmë mirë, mendoj se mund të kalojmë çdo limit dhe të thyejmë edhe mbrojtjen e tyre. Allegri është një trajner që di se si t’i përgatisë ndeshjet dhe mendoj se mënyra e lojës që skuadrat do të shpalosin në fushë sot, do të jetë e ndryshme nga ajo që u pa në takimin e parë. Kështu që mendoj se ne duhet të përmirësojmë lojën tonë nga ana taktike, për t’i goditur kundërshtarët në pikat më të dobëta.” – Erik ten Hag
“Kam besim të plotë se mund të vazhdojmë më tej rrugëtimin tonë në Champions League, sepse kemi punuar shumë dhe kemi luajtur në mënyrë të shkëlqyer. Ndihemi mirë dhe jemi të kënaqur me ato çfarë kemi arritur. E dimë se kjo ndeshje ka shumë rezultate brenda dhe unë jam gati edhe për penalltitë nëse do të jetë e nevojshme. Rëndësi ka që të luajmë pa presion dhe të përpiqemi të shprehemi në mënyrën tonë, pasi vetëm kështu mund t’i hapim probleme çdo kundërshtari që mund të kemi përballë. Kemi bërë një sezon të mirë deri më tani, por nuk duam të ndalemi këtu. Bilancet do t’i bëjmë vetëm kur të vijë fundi.” – Andre Onana