Totenhem, apo Juventus në çerekfinale? Çdo diskutim merr fund sonte në “Uembley”, ku vendësit e drejtuar nga Pochetino duan arritjen për herë të dytë ndër 8 skuadrat më të mirë të Champions League. Për këtë i duhet të ruajnë minimumi avantazhin e shënimit të dy golave, në fushë kundërshtare pas atij barazimi me rikuperim që arritën para 3 javësh në Torino. Anglezët vijnë me moral të lartë dhe me mbrojtjen në formë, megjithëse pa të dëmtuarin Tobi Alderuairld dhe të skualifikuarin Aurier.
Ndërsa nuk mungojnë as opsionet në sulm, ku mbi të gjitha do të mbështeten tek një Kejn, që është bërë lojtari i pari që shënon 9 gola në po aq ndeshje të para në kompeticionin më madhor evropian. Juventusit i duhet patjetër një fitore në “Uembli”, ose barazim me 2 gola e lart, për të avancuar më tej. Por asgjë nuk duket e pamundur, me rikthimin e dyshes argjentinase Higuain-Dibala, të cilët do të luajnë nga minuta e parë. Ndërsa Mandzukiç i është shtuar listës së të padisponueshmëve, që përbëhet edhe nga Kuadrado e Bernardeski.
Të dy ekipet vijnë nga 3 fitore e 1 barazim në katër ndeshjet e fundit. Por nëse flitet vetëm për Evropën, Totenhemi i ka fituar të trija ndeshjet që ka pasur në shtëpi gjatë këtij edicioni të Champions.Kurse Juventusi ka arritur vetëm një sukses në transfertë gjatë këtij sezoni në kompeticionin continental.As bilanci direkt nuk u buzëqesh bardhezinjve, që nuk kanë fituar asnjë nga 6 precedentët e luajtur deri më sot në Londër.Mirëpo, krahasuar me Totenhemin, “Zonja e Vjetër” ka një traditë më të favorshme, në fazën me eleminim direkt. Përderisa në 3 vitet e fundit kanë shkuar dy herë në finale.