Fundjava ishte me plot festë për dy finalistet e Champions League-ës. Juventus dhe Reali i Madridit u shpallën kampjonë duke përmbyllur një sezon të suksesshëm në kampjonatet respektive. Në Madrid festa filloi pas triumfit 2-0 që Los Blancos arritën në transfertën me Malagan. Në Estadio La Rosaleda, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema arkivuan suksesin për skuadrën e Zidane, që risjell titullin në Bernabeu pas 5 vitesh mungesë, titull që është i 33-ti në histori. Zidane e ka konsideruar triumfin në La Liga si ditën më të lumtur në jetën e tij si trajner. Skuadra e tij e bëri të kotë fitoren e Barcelonës ndaj Eibarit, pasi e mbyllën me 3 pikë diferencë dhe tanimë do ta kenë mendjen plotësisht te Champions League-a, që është objektivi i radhës dhe luhet më 3 qerhsor në Kardif. Reali kërkon ta fitojë këtë trofe për herë të 12-të në histori dhe për herë të dytë radhazi, diçka që deri më tani s’ja ka dalë askush ta bëjë. Por ndërkohë në anën tjetër, Juventusi i Massimiliano Allegrit nuk hasi aspak vështërsi ndaj Crotones duke e festuar titullin në fushën e tyre një javë përpara mbylljes së kampjonatit. Mandzukic, Dybala dhe Alex Sandro ishin ata që i dhanë kuptim festës. Pavarësisht për titujt e pretenduar, zyrtarisht Juventusi festoi kampjonatin e 33-të në histori, njëjtë sikurse Reali. Por ndryshe nga Los Blancos, bardhezinjtë vendosën një rekrod me faktin se ky ishte titulli i gjashtë radhazi, i treti nën drejtimin e Allegrit. Vetë trajneri italian u shpreh pas suksesit se ndihej tejet i lumtur pasi ky ishte titulli i dytë që festonte brenda javës, duke marrë në konsideratë këtu edhe Kupën e Italisë. Tani Juventusi pretendon tripletën.