Jurgen Klopp zbulon telefonatën e Pep Guardiolas pas triumfit në Champions League…

Sport

Marrëdhënia mes Jurgen Klopp dhe Pep Guardiolas ka qenë gjithmonë interesante, ndonëse dy trajnerët kanë qenë rivalët më të mëdhenj të njeri-tjetrit në sezonet e fundit. Së fundmi, trajneri gjerman i Liverpoolit ka zbuluar se pas triumfit të skuadrës së tij në Champions League sezonin e shkuar, ai mori një telefonatë mjaft domethënëse pikërisht nga Pep Guardiola.
Klopp tregoi se një nga anëtarët e stafit të tij i kishte afruar telefonin pak pasi kishin mbyllur festën me trofeun e Champions League-es dhe thotë se pa që në telefon shkruhej Pep. Fillimisht, gjermani mendoi se bëhej fjalë për një mikun e tij të vjetër, trajnerin holandez Pep Lijnders, por kur filloi të fliste në telefon, e kuptoi se bëhej fjalë për Guardiolan.
Klopp tha se katalanasi e përgëzoi për triumfin në finale dhe së bashku bënë disa shaka rreth sezonit të çmendur që patën Liverpooli dhe Manchester City. Numri 1 i stolit të “The Reds” e pranoi se nuk e priste një veprim të tillë nga ana e Guardiolas, por kjo tregon edhe njëherë respektin e ndërsjelltë që kanë dy nga figurat më të rëndësishme të futbollit europian.
Në fund, Klopp shpjegoi se marrëdhënia e tij me Guardiolan është krejt ndryshe nga ajo që kanë trajnerë të tjerë, rivalë mes tyre. Gjermani këmbënguli duke thënë se sfida mes tyre mbetet brenda fushës, dhe pavarësisht se ndonjëherë emocionet i bëjnë të thonë gjëra që nuk duhet, ata e kuptojnë mirë njëri-tjetrin dhe nuk kanë asnjë ndjesi negative, por përkundrazi, kërkojnë ta respektojnë njëri-tjetrin sa herë u jepet mundësia.