Liverpool po bëhet gati për një sezon madhështor. Trajneri Jurgen Klopp ka konfirmuar se klubi nuk e ka mbyllur ende merkaton, por synon të tjera përforcime.
“Kemi shumë gjëra për të bërë. Edhe nëse dita ime do të kishte 28 orë, për mua nuk do të ishte problem. Synimi ynë është i qartë. Jemi të vendosur. Në organikën tonë do të vijnë lojtarë të rinj. Do të kemi një skuadër të mirë dhe të kompletuar”, ka thënë gjermani, i cili, deri më tani, ka siguruar dy elementë mjaft të rëndësishëm në mesfushë, sikurse janë Mac Allister dhe Dominic Szoboszlai, të cilët, të dy së bashku, kanë kushtuar më tepër se 100 milionë euro.
Në sezonin e ri, Liverpool nuk do të jetë pjesëmarrës në Champions League, për shkak të një viti futbollistik të dobët nga edicioni i lënë pas. Megjithatë, takticieni gjerman kërkon vetëm besim tek tifozët.
“Ajo që do të doja më shumë, është të keni besim tek ne. Kemi përgjegjësinë morale përpara jush për atë që po ndodh aktualisht. Do të bëjmë gjithçka të mundur, që sezoni i ardhshëm, të kthehet në një sezon të paharruar. Ky është misioni ynë kryesor”, ka thënë Klopp, i cili në këtë mënyrë, ka paralajmëruar edhe rivalët.
Sa i përket gjendjes aktuale të skuadrës, Jordan Henderson dhe Fabinho janë me valixhe në duar, me të dy lojtarët që do të luajnë në ligën saudite të futbollit. Në kushte si këto, Liverpool po qëmton në merkato për t’u përforcuar me të tjerë futbollistë.