Kai Havertz mbetet një nga talentet më të përfolur në merkato, me shumë skuadra të mëdha që kanë rritur interesin ndaj lojtarit të Bayer Leverkusen. 19-vjeçari ka dhënë një kontribut të madh tek skuadra gjermane gjatë këtij sezoni, madje duke luajtur shpeshherë në pozicione nga më të ndryshmet. Së fundmi raportohet se për shërbimet e Havertz është interesuar edhe Liverpooli, me trajnerin Jurgen Klopp që kërkon me ngulm të ketë shërbimet e mesfushorit gjerman. Kai Havertz numëron gjatë këtij sezoni plot 39 ndeshje në të gjitha kompeticionet, pjesën më të madhe të të cilave i ka luajtur si titullar, me 17 gola të shënuar dhe 7 asiste.
Shifra mjaft të mira për një 19-vjeçar që shfrytëzoi siç duhet shanset e para që iu dhanë nga Leverkusen në fillim të këtij sezoni. Për të arritur një akord për transferimin e tij në ‘Anfield’, Liverpool është gati të paguajë një shumë rreth 60 milionë euro. Shifër që mund të kënaqte kërkesat e Leverkusen, por që gjithësesi do të vinte në lëvizje edhe skuadrat e tjera të mëdha të interesuara për shërbimet e Havertz. Gjermani shihet si zëvendësues afatgjatë i James Milner, apo edhe një alternativë e mirë e Oxlade-Chamberlain, i cili nuk ka qenë shumë me fat sa i përket dëmtimeve. Për lojtarin, interes konkret kanë treguar skuadra si Bayern Munich, Borussia Dortmund, Juventus apo PSG.