Jurgen Klopp do të largohet nga Liverpool në fund të sezonit

Sport

Jurgen Klopp do të largohet nga Liverpool në fund të sezonit. Është ky lajmi i bujshëm që ka ardhur nga Anglia përgjatë ditës së Premte. Ndoënse gjermani kishte një kontratë që i përfundonte në 30 Qershor të 2026-tës, ai ka vendosur që të ndalet në përfundim të këtij edicioni futbollistik.

Vendimin e Klopp, e ka bërë të ditur vetë klubi i Liverpool në kanalin zyrtar, teksa njëkohësisht, bashkë me njofitmin, ka ardhur edhe arsyeja e tërheqjes së Klopp.

“Do të largohem në fund të sezonit. E kuptoj që ky mund të konsiderohet një lajm shokues për njerëzit kur e dëgjon për herë të parë, por unë kam detyrimin për të dhënë një shpjegim mbi këtë situatë.

Absolutisht që e dashuroj çdo gjë në këtë klub, duke nisur nga skuadra, apo edhe stafi. Po e kuptoj se po më shterojnë energjitë. Për momentin jam shumë mirë, por e dija se një ditë do të mbërrij në këtë pikë. Nuk mund ta bëj dot këtë punë pafundësisht. Pas të gjitha viteve që kemi kaluar së bashku, e gjithë rruga që kemi përshkuar së bashku, mund të them se gjithçka ka qenë e jashtëzakonshme. Respekti dhe dashuria për ju ka qenë maksimale dhe për këtë ju detyrohem të them të vërtetën dhe e vërteta është kjo që sapo thashë. Ndihem i lodhur dhe më kanë shteruar energjitë”, janë fjalët e trajnerit 56 vjeçar.

Jurgen Klopp është pjesë e Liverpool që prej Tetorit të 2018-tës, e prej atëherë e ka drejtuar  skuadrën në 464 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke fituar çdo trofe të mundshëm që mund të fitohet. Pavarësisht se si do të shkojë ky sezon, që duhet thënë se Liverpool është në rrugë të mbarë, ndër të tjera, Klopp do të mbahet mend si trajneri që riktheu titullin kampion në shtëpi pas më tepër se 3 dekadash. Suksesi ka qenë masiv edhe në Europë, teksa ka arritur të shkojë 3 herë në finale të Champions League dhe ka mundur të triumfojë në një prej tyre.