Jude Bellingham shkruan historinë me Real Madrid, thyen rekordin e Cristiano Ronaldos

Sport

Jude Bellingham shkruan historinë me Real Madrid. Me golin e shënuar në transfertën e Cadizit, fantazisti është bërë lojtari i parë në historinë e Los Blancos, që shënon 14 gola në 15 ndeshjet e para me fanellën e bardhë.

20 vjeçari ka lënë pas vetes emra legjendarë si Cristiano Ronaldo, Alfredo Di Stefano, apo Pruden Sanchez, të cilët, në 15 ndeshjet e para me Realin, ishin ndalur në kuotën e 13 golave.

Me 14 gola të shënuar gjithësej këtë sezon, në vetëm 15 ndeshje të luajtura, britaniku ka barazuar totalin e golave të shënuar një edicion më parë, por atëherë, me Borussia Dortmund, iu deshën 42 ndeshje për të shënuar 14 gola.

Ishte pikërisht java e 12-të e La Ligas, që e dërgoi Realin në transfertën e Cadiz, ndeshje të cilën e fitoi me rezultatin 3-0. Përveç një finalizimi të Bellingham, dy të tjerët u shënuan nga Rodrygo. Pas një boshllëku prej disa javësh, braziliani duket i rilindur. Kjo ishte ndeshja e 3-të radhazi që sulmuesi gjen rrugën e rrjetës. Jo vetëm kaq. Që pas vitit 2000, është bërë vetëm lojtari i 3-të i Realit që përfshihet në 3 gola, në dy ndeshje radhazi të La Ligas.

Me 3 pikëshin e marrë në tokën andaluziane, Real Madrid është ngjitur në krye të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 35 pikëve, duke përfituar në ktë mënyrë edhe nga hapi fals i Barcelonës. Në javën e 13-të, katalanasit u ndalën në barazim 1-1 ndaj Rayo Vallecano në transfertë dhe kësisoj kanë zbritur në vendin e 4 të me 31 pikë, aq sa Atletico e vendit të 3-të dhe 3 më pak sesa Girona e vendit të dytë.