Jude Bellingham konsiderohet një lojtar i Real Madrid

Sport

Jude Bellingham mund të konsiderohet një lojtar i Real Madrid. Në raportimet e mediave të huaja, thuhet se javën e ardhshme, fantazisti anglez do të transferohet në radhët e klubit spanjoll, me akordin që është arritur që në muajin Prill. Marrëveshja mes Realit dhe Borussia Dortmund do të konkretizohet për shifrën e 100 mln eurove, plus disa të tjera që do të jenë të përfshira si bonuse.

Kontrata e Bellingham me 14 herë kampionët e Europës do të jetë e vlefshme për 6 sezone, deri në verën e 2029-tës, ndërsa paga e tij do të vlerësohet sezon pas sezoni.

Për momentin, fokusi i britanikut është ndeshja e fundit e kampionatit me Borussia Dortmund, aty ku klubi verdhezi ka mundësi që të fitojë titullin kampion. Mjafton një fitore ndaj Mainz në shtëpi dhe djemtë e drejtuar nga Edin Terziç do të kurorëzohen kampionë, duke i dhënë fund në këtë mënyrë dominimit 10 vjeçar të Bayernit të Mynihut.

Titulli i fundit i Dortmundit daton që në sezonin 2011/2012-të, e padyshim që në Signal Iduna Park pritet të jetë një festë shumë e madhe. Nuk dihet me saktësi nëse Bellingham do të jetë gati për këtë ndeshje, sepse fantazisti vuan nga një problem në gjurin e djathtë dhe nuk është stërvitur plotësisht me pjesën tjetër të skuadrës. Sidoqoftë, mesfushori do të jetë i pranishëm në stadium, me shpresën se në fund do t’i bashkohet festës.

Me largimin e Bellingham, Dortmundi është duke humbur një prej yjeve të ekipit. Megjithatë, klubi verdhezi do të mbushë arkat me miliona euro, ndërsa ndërje më të mirë sesa me një titull kampion të fituar, nuk mund të ketë.