Jude Bellingham ka zgjedhur klubin e Real Madrid për të vijuar karrierën. Të paktën kështu raportojnë mediat iberike, që nënvizojnë se lojtari e ka marrë vendimin e tij përgjatë ditëve të fundit.
Fantazisti anglez kishte si preferencë transferimin në radhët e Liverpool, mirëpo disfata në Champions League që The Reds pësuan në “Anfield” ndaj Real Madrid me rezultatin 5-2, mesa duket ka ndryshuar tërësisht skenarin në mendjen e Beillingham.
Ylli i Borussia Dortmund është bindur se kampionët në fuqi të Europës janë ambienti më i përshtatshëm për të, për të vijuar karrierën e tij, që për momentin premton shumë. 19 vjeçari ka një kontratë me klubin verdhezi që i përfundon në verën e 2025-tës, mirëpo duket shumë e vështirë që djaloshi në fjalë të luajë në “Signal Iduna Park” përtej këtij sezoni.
Britaniku mund të jetë duke luajtur ndeshjet e tij të fundit me gjigantët e Bundesligës, pjesë e të cilëve është që prej verës së 2020-tës. Dortmundi u ka rezistuar herë pas here ofertave për Bellingham, por këtë radhë duket se e ka të pamundur për ta mbajtur më gjatë lojtarin, duke marrë parasysh që kontrata e tij sa vjen e afrohet gjithmonë e më tepër drejt skadencës.
Në kushte si këto, për ta lënë të lirë fantazistin, Dortmundi kërkon rreth 150 mln euro për shërbimet e Jude Bellingham. Nga ana tjetër, Real Madrid e ndjek prej disa kohësh yllin anglez dhe mbetet për t’u parë në merkaton e verës nëse 19 vjeçari do transferohet në “Santiago Bernabeu”, apo ngjarja do të marrë një tjetër drejtim.