Joshua Zirkzee drejt Milanit, klubi kuqezi është gati të paguajë klauzolën e lojtarit

Sport

Milani e ka seriozisht për Joshua Zirkzee. Ndonëse në garë për të siguruar shërbimet e sulmuesit, janë shumë klube, me shumë mundësi, e ardhmja e hollandezit duket e lidhur ngushtë me gjigantët e Milanos.

Zirkzee ka një kontratë me Bolognan deri në verën e 2026-tës, mirëpo në kontratën e tij ekziston një klauzolë largimi prej 40 milionë eurosh. E sipas raportimeve, Milani ka vendosur të paguajë pikërisht këtë klauzolë, në mënyrë që futbollisti në fjalë të vishet kuqezi.

Përgjegjësit e merkatos së 19 herë kampionëve të Europës kanë fluturuar drejt Londrës, për të biseduar me agjentin e lojtarit, në mënyrë që të vendosin pikat mbi “i”. Përfundimi pritet të jetë i suksesshëm edhe për një tjetër arsye. Dëshira e Zirkzee është të qëndrojë në Itali, pasi beson se ndodhet në ambientin e duhur për të arritur objektivat e karrierës së tij.

Ngërçi i vetëm në këtë mes qëndron në anën e agjentit të djaloshit 23 vjeçar, i cili, që ky operacion të mbyllet me sukses, kërkon plot 15 milionë euro në komision. Një shifër e lartë kjo, që mund t’i sillte probleme Milanit nga ana financiare, pasi kjo do të bënte që kartoni i Zirkzee në tërësi të shkonte deri në 55 milionë euro.

Gjithësesi, sipas informacioneve, edhe për këtë pengesë pritet të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që rruga e Zirkzee drejt Milanit të jetë plotësisht e lirë.

Në sezonin 2023/24, Zirkzee luajti 37 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Bolognan, ndërsa shënoi 12 gola, e kontribuoi gjithashtu edhe me 7 asiste.

23 vjeçari nuk u thirr nga trajneri i Hollandës, Ronald Koman për Euro 2024, kështu që Zirkzee po shijion pushimet, në mënyrë që të jetë sa më i freskët për edicionin e ri futbollistik.