Kur ka vetëm pak ditë që është shkarkuar nga Roma, Jose Mourinho mund të rikthehet shumë shpejt në krye të detyrës, vetëm se këtë herë do trajnojë në një tjetër continent. Bëhet fjalë për Arabinë Saudite.
Sikurse raportojnë mediat e huaja, tekniku portugez është pranë arritjes së marrëveshjes me klubin e Al Shabab. Si fillim palët kanë zhvilluar një takim nëpërmjet internetit, që ka zgjatur rreth një orë dhe mesa duket, përfundimi i bisedës ka rezultuar pozitiv.
Në fakt, mundësinë për të punuar në Arabi, Mourinho e kishte lënë gjithmonë të hapur në deklaratat mediatike, vetëm se kishte thënë që ajo ditë është ende e largët, pasi synimi i tij ishte të trajnonte ende në nivele të larta.
Madje, ofertat nga Lindja e Mesme, me kontrata stratosferike, Mourinho i refuzoi edhe në merkaton e verës që lamë pas, teksa disa klube kërkuan të siguronin shërbimet e tij.
Megjithatë, shkarkimi i menjëhershëm nga detyra si trajner i Romës, mund të ketë ndryshuar objektivat e 60 vjeçarit, kapitulli i të cilit në Europë mund të konsiderohet i përfunduar.
Jose Mourinho ka fituar 26 trofe në total, duke u klasifikuar kësisoj si një ndër trajnerët më të mirë dhe më të suksesshëm të historisë së futbollit.