Jose Mourinho rrezikon shkarkimin, një legjendë mund të emërohet trajner i Romës

Sport

Jose Mourinho rrezikon shkarkimin nga Roma, ndërsa në krye të skuadrës mund të emërohet një legjendë. Në harkun e një jave, situata e trajnerit portugez ka ndryshuar në plot 180 gradë, pasi fillimisht mediat italiane raportuan e 60 vjeçari ishte shumë pranë rinovimit të kontratës me klubin verdhekuq, kurse rezultatet e fundit të skuadrës, e kanë kthyer situatën kundër Mourinhos, vendi i të cilit në Olimpico nuk është më i sigurt.

Humbja e së Dielës mbrëma me Milanin në San Siro, mund të ketë vendosur përfundimisht të ardhmen e ish-trajnerit të Real Madrid, Chelsea, United, apo Inter, në krye të Romës. Përveç rezultateve, që nuk janë më në favorin e teknikut dhe vendi i katërt që të dërgon në Champions League, po largohet gjithmonë e më shumë dhe konkretisht me 5 pikë, krerët më të lartë të verdhekuqve, nuk janë të kënaqur gjithashtu edhe me sjelljen e trajnerit në fjalë, i cili duket sikur po justifikohet për gjithçka. Deklaratat e Jose Mourinhos në media, të adresuara ndaj arbitrave, kundërshtarëve, apo edhe klubit, cilësohen si të padobishme dhe që në fund të fundit, nuk janë në dobi të askujt.

Me të ardhmen e Mourinhos, që pritet të bëhet e ditur në të ardhmen afatshkurtër, mediat përtej detit bëjnë me dije se drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë edhe për pasardhësin e 60 vjeçarit. Sikurse përcillet nga informacionet, në kampin romanist, ka nisur të qarkullojë emri i Daniele De Rossit, i cili mund të jetë trajneri i ardhshëm i Romës. Si lojtar, De Rossi ia dedikoi të gjithë karrierën pikërisht Romës, e për këtë aryse, tifozët janë të lidhur ngushtë me emrin e tij, aqsa do ta mirëprisnin me padurim kontributin e tij të radhës për fanellën verdhekuqe, por këtë herë si trajner.

Se ç’do të ndodhë, gjithça mbetet për t’u konfirmuar në të ardhmen e afërt.