Të paktë janë personzhet e futbollist që po refuzojnë milionat e Arabisë Saudite në merkaton e kësaj vere. Një prej tyre është Jose Mourinho. Në fillim të Qershorit, Al Hilal, i propozoi teknikut një kontratë tre vjeçare, me 30 milionë euro në sezon.
Megjithatë, mediat e huaja raportojnë se “Special One” e ka refuzuar propoziomin e sauditëve, pasi ai është tërësisht i përqendruar në projektin e tij me skuadrën e Romës. Tekniku portugez ka ende edhe një vit kontratë të vlefshme, nga marrëveshja aktuale me klubin verdhekuq.
Megjithatë, mundësitë janë tepër të mëdha, që 60 vjeçari të mbetet pjesë e Romës edhe pas sezonit tjetër. Ish-timonieri i Interit pritet të rinovojë edhe për dy sezone të tjera me klubin kryeqytetas.
Në vitin e parë në “Olimpico”, Mourinho e dërgoi Romën drejt një triumfi historik, duke fituar titullin e Conference League. Ndërsa në edicionin që lamë pas, atë 2022/23, “Special One” gati sa nuk e shkroi sërish historinë. Ai e dërgoi skuadrën deri në finalen e Europa League, në atë që ishte edhe finalja e tij e 6-të europiane.
Pasi kishte triumfuar në 5 të mëparshme, Mourinho u thye, duke u mposhtur me penallti nga spanjollët e Sevillas.
Megjithatë, portugezi nuk preferon të dorëzohet, por është gati të provojë sërish. Ai ka marrë garanci nga bordi drejtues, se këtë verë shpenzimet në merkato do të jenë të kënaqshme, në mënyrë që skuadra të përforcohet ndjeshëm për edicionin e ardhshëm futbollistik.
Ndërkohë, Jose Mourinho është pezulluar me 10 ditë nga drejtësia italiane e futbollit, për shkak të komenteve negative ndaj arbitrit Daniele Chiffi, pas ndeshjes së 3 Majit ndaj Monzas në transfertë, në atë barazim 1-1. Në kushte si këto, Mourinho pritet të mos jetë në bankinë në 2 javët e para të sezonit të ri futbollistik në Serie A.