Jose Mourinho u bë edhe njëherë protagonist në UEFA Champions League, teksa pas fitores në ekstremis 2-1 ndaj Juventusit në Torino iu drejtua me gjeste provokuese tifozëve bardhezi. Ç’është e vërteta portugezi vuajti jashtë mase koret ofenduese të ultrasve juventin përgjatë gjithë 90-të minutave, por ishte autogoli i Bonuccit që i dha arsye për të festuar. Mourinho, i cili ka një të kaluar të pasur me plot episode në Itali, kur drejtonte Interin, rrëfeu pas sfidës se kishte qenë mjaft i acaruar me koret e vazhdueshme të tifozerisë. “E respektoj Juventusin, i respektoj lojtarët, trajnerin e tyre… gjithcka, cilësinë që kanë, por tifozët përgjatë 90 minutash me një italishte të bukur më ofenduan” tregoi portugezi, i cili këmbënguli se e kishte bërë gjestin me dorën në vesh në mënyrë ironike për t’i dëgjuar edhe njëherë ato ofendime. Në Torino Mourinho urrehet po aq sa skuadra e Interit dhe gjuha e urrejtjes është shumë e pranishme në stadium. “Me gjasa nuk duhej ta kisha bërë, dhe nëse do të kisha qenë i qetë nuk do e kisha bërë, por me familjen që mu ofendua, edhe me familjarët e mi të Interit… reagova ashtu” theksoi trajneri i Manchester United, i cili tashmë ndihet disi më i qetë nga tabela e renditjes, pasi “Djajve” u mjafton një fitore ndaj Young Boys për të arkivuar kualifikimin nga Grupi H.