Jose Mourinho pranë rinovimit me Romën

Sport

Jose Mourinho pranë rinovimit të kontratës me Romën deri në vitin 2026-të. Përgjatë kohëve të fundit, për të ardhmen e trajnerit portugez është folur shumë. Nga marrëveshja aktuale me klubin verdhekuq, ka mbetur edhe një vit, teksa vetë tekniku në fjalë, ishte I paqëndrueshëm dhe ndonjëherë I padeshfrueshëm në deklaratat e tij.

“Special One”, e kishte lënë të hapur mundësinë e largimit nga kryeqytetasit italianë, ndërsa për të, interesi nga klube të ndryshme të kontinentit, duke filluar nga Chelsea, apo edhe PSG, që e konsideronte atë si personazhin e duhur për të shkuar drejt triumfit të shumëkërkuar në Champions League.

Megjithatë, asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Mediat përtej detit, raportojnë se Mourinho do të firmosë me Romën edhe për 2 sezone të tjera. 61 vjeçari, e konsideron të papërfunduar aventurën e tij me klubin italian. Në vitin e parë në “Olimpico”, ai arriti të fitonte titullin e Conference Leaugue, ndërsa këtë edicion mbërriti deri në finalen e Europa League, por u mposht nga Sevilla.

Mourinho, nuk është një natyrë që heq dorë. Synimi I tij është I qartë. Ai kërkon të fitojë të tjera medalje me Romën, ndërsa drejtuesit I kanë premtuar përforcime në merkato, në mënyrë që të rritet kualiteti në skuadër dhe ekipi të jetë më konkurues në edicionin që vjen, por jo vetëm.