Jose Mourinho mund të rikthehet sërish tek Chelsea. Duke marrë në konsideratë dy merkatot e fundit, Blutë e Londrës kanë shpenzuar më tepër sesa 600 mln euro për të përforcuar skuadrën, mirëpo rezultatet në fushën e lojës janë tepër dëshpëruese.
Ndonëse drejtuesit e klubit po I japing kohë teknikut actual, Graham Potter, ekipi nuk po arrin të reagojë dot. Përveç situatës së rënduar në kampionat, aty ku Chelsea renditet në vendin e 9-të të tabelës së klasifikimit, po ashtu, klubi nga Londra Perëndimore është mposhtur edhe në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-tave në UEFA Champions League ndaj Borussia Dortmund.
Në rrethana të tilla, e ardhmja duket se nuk premton asgjë pozitive për Potter në krye të Chelsea dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë për pasardhësin e tij. Sipas asaj që nënvizon shtypi italian, në edicionin e ardhshëm, mund të kemi një rikthim të tretë të Jose Mourinhos tek Chelsea.
Special One ka një kontratë me Romën deri në verën e 2024-tës dhe deri më tani është shprehur vazhdimisht se dëshira e tij është të punojë në “Olimpico”. Këtë edicion, ekipi I drejtuar nga 60 vjeçari po kryen një sezon relativisht të mirë, ku për momentin ndodhet në vendin e 3-të të tabelës së klasifikimit. Objektivi kryesor I verdhekuqve është të kualifikohen në Champions League për sezonin e ardhshëm, objektiv që deri në këtë fazë është duke shkuar sipas planit.
Megjithatë, një ofertë nga Londra, mund ta tundojë Mourinhon, sidomos kur bëhet fjalë për një klub si Chelsea që ai e njeh shumë mirë. Në dy epokat e mëparshme të stolit të bluve, trajneri portugez ka arritur të fitojë trofe, e për këtë arsye ai konsiderohet si strategu I duhur për të ndërtuar edhe një herë tjetër një skuadër fituese tek Chelsea. Duhet përmendur se disa kohë më parë, Mourinho refuzoi të merrte drejtimin e Portugalisë, e po ashtu është diskutuar për t’u emëruar trajner I PSG, por që edhe ofertën e francezëve e refuzoi.
Mbetet për t’u parë në të ardhmen e afërt se çfarë zhvillimesh të reja do të kemi mbi këtë çështje në aksin Romë-Londër.