Jose Mourinho i shqetësuar për dëmtimin e Paulo Dybala, ja sa pritet të mungojë argjentinasi

Sport

Fitorja 4-1 e Romës ndaj Cagliarit ishte e dyta radhazi në kampionat, me skuadrën verdhekuqe që ka nisur ngjitjen në shkallët e tabelës, mirëpo, Jose Mourinho dhe skuadra e tij kanë rikthyer në shtëpi me një lajm negative. Fjala është për dëmtimin e Paulo Dybalas.

Në minutën e 40-të të pjesës së parë, argjentinasi u detyrua të dilte nga fusha e lojës, për shkak të një lëndimi të marrë në gju. Pas përfundimit të sfidës, tekniku portuges nuk u shpreh aspak optimist për gjendjen e lojtarit, duke thënë se edhe vetë fantazisti i trembet një ndalese të gjatë.

Në kampin e Romës janë të trembur, sepse mund të ekzistojë rreziku që lojtari të ketë dëmtuar ligamentin, çka do të thotë se ndalsa do të jetë shumë e gjatë. Megjithatë, duke nisur nga kontrollet e para, supozohet se dëmtimi nuk është shumë serioz. Sipas raportimeve nga mediat italiane, Paulo Dybala pritet të jetë sërish gati për trajnerin Jose Mourinho në Janar të 2024-tës.

Sidoqoftë, gjendja e 29 vjeçarit do të jetë vazhdimisht në monitorim, ndërsa në vijimësi, nga rezultatet e testeve mjekësore, pritet të përcaktohet përfundimisht koha e rikuperimit të kampionit të botës.

Sakaq, në pritje të një përgjigjeje sa më pak negative mbi dëmtimin e Dybalas, në skuadrën e Romës është duke shkëlqyer Romelu Lukaku. Në 8 ndeshje të luajtura mes Serie A dhe Europa League, belgu ka shënuar gjithësej 7 gola. Përkthyer në statistika, Lukaku ka nisur edicionin e tij më pozitiv të karrierës që nga sezoni 2011/12, atëherë kur u bë pjesë e bashkësisë së 5 ligave më të forta të Europës.