Jose Mourinho i shqetësuar, lojtari kryesor i skuadrës vazhdon të jetë me probleme

Sport

Jose Mourinho ka të drejtë të jetë i shqetësuar për Romën e tij. Lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, Paulo Dybala vazhdon të ketë probleme fizike dhe ky nuk është një lajm aspak i mirë për trajnerin portugez, sidomos në një fazë kaq vendimtare të sezonit.

Si fillim, Roma është në garë, që përmes kampionatit, synon vendin e 4, që të sigurojë një vend në Champions League për edicionin e ardhshëm. Përveç kësaj, verdhekuqtë, janë në garë edhe për të fituar titullin e Europa League, aty ku ndodhen në gjysmëfinale dhe do të sfidohen me gjermanët e Bayer Leverkusen.

Mirëpo, mundësitë ekzistojnë që këto sfida kaq të rëndësishme, Roma t’i luajë pa Dybalan. Ose nëse do të jetë në dispozicion, kampioni i botës nuk do të jetë në formën e tij më të mirë të mundshme fizike.

Përgjatë ditëve të fundit, Dybala nuk është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës, sepse ka qenë i shqetësuar nga kavilja, që nuk e ka lënë të qetë prej një kohe të gjatë, e që e kushtëzoi atë të aktivozohej vetëm pak minuta ndaj Interit në kampionat.

Për këtë arsye, Mourinho është sy e veshë nga infermieria, me shpresën se gjendja e fantazistit do të ztabilizohet sa më shpejtë të jetë e mundur, megjithëse për këtë nuk ka një kohë të caktuar.

Për të kuptuar sa i rëndësishëm është Dybala në skuadrën e Romës, mjafton të përmendim këtu që në 35 ndeshje të luajtura këtë sezon në të gjitha kompeticionet, mëngjarashi ka kontribuar me 16 gola dhe 8 asist. Ndryshe, këto shifra përkthehen sa 40 % e finalizimeve të të gjithë ekipit verdhekuq.