Jose Mourinho nuk ka ndërmend të largohet nga Roma. Special One është i vendosur të respektojë kontratën 3 vjeçare, që i përfundon në verën e vitit 2024. Kështu është shprehur vetë portugezi, I pyetur rreth të ardhmes së tij.
“Mendoj të qendroj këtu në këto 3 vite. Nuk mendoj të largohem përpara këtij afati. Pas kësaj kohe do marr në konsideratë mundësi të tjera”, është shprehur Special One.
Që në sezonin e tij të parë në krye të skuadrës verdhekuqe, Mourinho arriti të bëjë diferencën, ndërsa në datën 25 maj, ka mundësinë për të shkruar historinë me klubin e Romës. Fjala është për kompeticionin e UEFA Conference League.
Skuadra e drejtuar nga portugezi ndodhet në finale, aty ku në Tiranë, do luajë përballë hollandezëve të Feynordit. Në lidhje me këtë sfidë, Special One është shprehur se kjo është finalja më e rëndësishme e karrierës së tij, pavarësisht se numëron mbi 25 tituj të fituar ndër vite me skuadrat që ka trajnuar.
Megjithatë, Mourinho thotë se trofetë e fituar i përkasin të shkuarës, e për këtë arsye kjo finale, merr një rëndësi të veçantë, pasi është e radhës dhe për këtë arsye, 59 vjeçari kërkon ta fitojë me patjetër.
Ndërkohë, ish-trajneri i Real Madrid ka nisur të mendojë edhe për merkaton. Mediat italiane bëjnë me dije se portugezi kërkon të transferojë në Olimpico lojtarin e Manchester United, Nemanja Matiç, të cilin dëshiron ta ketë pjesë të organikës së tij. Pak kohë më parë, serbi, njoftoi se do largohet këtë verë nga Old Trafford dhe si pasojë, në fund të sezonit, do të jetë një lojtar i lirë.