Jose Mourinho dhe hedh poshtë mundësinë për të drejtuar Real Madrid: Ançelotti është trajneri i duhur

Sport

Jose Mourinho ka hedhur poshtë mundësinë e rikthimit tek Real Madrid. Trajneri i Romës, në vitin e fundit të kontratës me verdhekuqtë, prej disa kohësh është rikthyer në qendër të vëmendjes sa i përket situatës rreth të ardhmes së tij.

Mes spekulimeve të tjera, nuk kanë munguar as zërat për një rikthim të mundshëm të portugezit në stolin e Realit, pasi prej andej të largohet Carlo Ançelotti. Megjithatë, në lidhje me një çështje të tillë, ka folur vetë 60 vjeçari, i cili ka bërë të ditur se një rikthim në Madrid nuk është në planet e tij, të paktën në periudhën afatshkurtër.

Special One ka cekur se Reali nuk ka nevojë të kërkojnë një trajner të ri, sepse në krye të skuadrës ka trajnerin më të mirë të mundshëm, siç është Carlo Ançelotti.

“Unë tek Real Madrid? Kur Los Blancos kanë një trajner si Ançelotti, përse duhet të mendojnë për një tjetër. Unë jam një admirues i tij dhe shpresoj që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur për të. Uroj që Ançelotti të qëndrojë tek Reali edhe në sezonin tjetër, sepse jam i bindur se ai është trajneri perfekt për një klub të tillë”, ka deklaruar ndër të tjera Mourinho.

Sa i përket epokës së vetë Mourinhos në Santiago Bernabeu, portugezi e ka quajtur të çmendur veten e tij, që pas 3 sezoneve, vendosi të largohej nga Reali. Dy herë fituesi i Champions League ka thënë se presidenti  Florentino Perez dhe krerët e tjerë të klubit nuk donin që ai të largohej, por Mourinho ishte i vendosur për t’i dhënë fund epokës me 14 herë kampionët e Europës.

Më tej, portugezi e ka bërë të ditur publikisht se në një të ardhme të largët, ai do të trajnojë në Lindjen e Mesme, por për momentin synimi i tij është të trajnojë në Europë.

Duke qenë se kontrata e tij me Romën është në vitin e fundit, mbetet për t’u parë se çfarë zhvillimesh do të ketë në lidhje me një temë të tillë. Për momentin, portugezi ka treguar se mes tij dhe drejtuesve të klubit nuk ka asnjë sinjal për të rinovuar, duke lënë të hapuar mundësinë e largimit.