Jorge Mendes nuk kursen elozhet për Ronaldon, thotë se ka ende për të treguar

Sport

I cilësuar si agjenti më i mirë i futbollistëve, Jorge Mendes është nga ata persona që di se kur të flasë për lojtarët e tij. Sigurisht që vëmendjen më të madhe nga lojtarët e menaxhuar prej tij e ka Cristiano Ronaldo. Kapiteni i Portugalisë arriti kuotën e 700 golave në karrierë, duke ‘u ngritur’ në qiell nga elozhet e tifozëve apo të futbollistëve të tjerë. Por për Jorge Mendes, kjo arritje e Cristianos ishte diçka që ai e priste. Madje agjenti portugez u shpreh se lojtari i Juventus ka ende shumë për të treguar, edhe pse tashmë është 34-vjeçar.


“Ai është lojtari më i fortë në botë. Është absolutisht më i miri që ka zbritur ndonjëherë në fushën e blertë. Ai do të bëjë gjëra më të mëdha se më parë dhe do ta realizojë këtë me fanellën e Juventus.”
Me këto fjalë, Mendes duket se premton të tjera rekorde të thyera nga Ronaldo. Portugezi është diskutuar shpesh për rënien e shifrave të tij, por në fakt Ronaldo vazhdon të mahnisë sa herë i jepet mundësia. Vetë ylli i Juventus shprehej se nuk mendonte për rekordet, por përqëndrohej vetëm për të fituar sa më shumë ndeshje e për të shënuar sa më shumë gola. Objektivi primar i Ronaldos është fitimi i ‘Champions League’ me Juventusin, drejtuesit e së cilës kanë bërë çdo gjë për të arritur tek trofeu më i lakmuar për klube. Megjithatë, edhe me Ronaldon, rrugëtimi mbetet ende i gjatë e i vështirë.