Jorge Lorenzo shkon deri në Japoni për modifikimin e motorit Honda

Sport

Ashtu siç edhe pritej, Jorge Lorenzo po vijon të vuajë në aventurën e tij të re me motorin Honda. 3 hërë kampioni i botës në ‘MotoGP’, në 6 garat e para të këtij sezoni, ka grumbulluar vetëm 19 pikë, 96 më pak se lideri renditjes, Marc Marquez. Për më tepër, Lorenzo nuk ka arritur asnjëherë ta mbyllë mes 10 vendeve të para, ndërsa podiumi për momentin duket një ëndërr. Spanjollit i është sosur durimi dhe nuk ka pritur më modifikimet e inxhinierëve të skuadrës. Lorenzo ka shkuar personalisht deri në Japoni, në fabrikën ku prodhohen motorat e Hondas, për të bërë të qarta problemet që ai ka hasur dhe modifikimet që kërkon. Kështu, Honda do t’i japë Lorenzos në garën pasardhëse një motor krejtësisht të ri, të modifikuar sipas kërkesave të pilotit spanjoll, që nga telajo e deri tek detajet më të vogla. Në garën e ardhshme në Katalonjë, Lorenzo dhe Honda shpresojnë që të duelojnë për të arritur një rezultat sa më pozitiv, duke qenë se në teste, Lorenzo ka shfaqur kohë të mira. Me motorin e ri të ndërtuar posaçërisht për të, spanjolli synon të arrijë diçka për t’u mbajtur mend në këtë sezon, teksa garën e shkuar pati edhe disa shkëndija mes tij dhe shokut të skuadrës, Marc Marquez.