Jorge Lorenzo rrëfehet për vitin e parë me Hondan

Sport

Jorge Lorenzo ka patur një sezon për t’u harruar gjatë viti 2019, ku nuk ia doli asnjëherë të fitonte nëj garë, apo qoftë edhe të ngjitej në podium. Edhe pse piloton për skuadrën kampione në fuqi, piloti spanjoll nuk ia ka dalë mbanë të shfaqë më të mirën e tij, ndryshe nga shoku i skuadrës, Marc Marquez, i cili në garën e fundit në Tajlandë siguroi titullin e kampionit të botës. Lorenzo e ka patur shumë të vështirë të përshtatej me Hondan, madje edhe më të vështirë se sa me Ducatin. Këtë ai e pranoi në një intervistë të dhënë së fundmi, ku rrëfeu problemet që hasi gjatë vitit të parë me Hondan. 3 herë kampioni i botës u shpreh se dëmtimet dhe problemet fizike kanë qenë një faktor kyç që nuk e kanë lejuar të shprehet si duhet.

Spanjolli tha se në gara të tilla si në ‘MotoGP’, të duhet të shkosh gjithmonë përtej limiteve dhe lëndimet nuk e kanë lejuar të punojë qetësisht. Por edhe përshtatja me motorin duket se ka qenë një mision i vështirë për 32-vjeçarin. Lorenzo shpjegoi se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të tij për të gjetur ‘gjuhën e përbashkët’ me Hondan, ai nuk ia ka dalë mbanë të marrë më të mirën. Piloti spanjoll shpjegoi se tashmë është më i shpejtë në vijën e drejtë, por ka humbur shumë nëpër kthesa, pasi ende nuk garon në stilin që kërkon motori i tij. Ish-piloti i Yamahas dhe Ducatit tha se do të ishte mirë që inxhinierët e skuadrës të ndërtonin një motor që mund të përshtatej me të gjithë pilotët, ndonëse me Marquez, Honda deri më tani ka parë vetëm suksese. Lorenzo shpreson që në sezonin e ardhshëm të ketë mësuar më shumë rreth Hondas së tij, teksa pjesa më vendimtare sipas tij, do të jetë gjendja fizike.