Manchester United nuk mendon të përforcohet vetëm në qendër të mbrojtjes. Klubi anglez duket se ka filluar të interesohet edhe për mbrojtësin e majtë të Barcelonës, Jordi Alba, pasi prej disa javësh, spanjolli po refuzon të rinovojë kontratën me katalanasit. 29-vjeçari është një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të momentit dhe u bë pjesë e Barcelonës 6 sezone më parë, kur u transferua nga Valencia. Ai numëron më shumë se 250 ndeshje me ekipin “blaugrana” duke fituar katër herë titullin në ‘La Liga’ krahas trofeve të ‘Kupës së Mbretit’ dhe ‘Champions League’.
Mediat spanjolle thonë se United po përfiton nga fakti që mbrojtësit i skadon kontrata në qershor të 2020-ës. Kështu, nëse Jordi Alba nuk do të rinovojë deri në fundin e sezonit aktual, atëherë “djajtë e kuq” do fillojnë tratativat me Barcelonën, që do të jetë i detyruar të pranojë bisedimet për të mos e humbur lojtarin me parametra zero. Kartoni i mbrojtësit akualisht llogaritet të kushtojë rreth 50 milionë euro. United kërkon një mbrojtës të majtë pasi Luke Shaë dhe Ashley Young nuk gëzojnë më favoret e Jose Mourinho. Ferland Mendy i Lyon, Jose Luis Gaya i Valencia dhe Juan Bernat i Bayern Munich janë futbollistët e tjerë në “radarët” e United, nëse do të dështojë në blerjen e Jordi Albas.