3 herë kampioni i botës në “Superbike”, Jonathan Rea ka refuzuar të gjitha ofertat nga skuadra të “MotoGP” dhe ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij me Kawasakin.
Piloti nga Irlanda e Veriut ka firmosur një kontratë të re 2-vjeçare me skuadrën kampione në fuqi, duke shuar kështu të gjitha aludimet se ai do të bëhej pjesë e “MotoGP”.
Rea është i vetmi pilot në historinë e “Superbike” që ka arritur të fitojë 3 tituj kampion radhazi. Suksesi i tij filloi që pas firmosjes me Kawasaki Racing Team në vitin 2015, dhe që prej atij momenti, 31-vjeçari ka fituar 45 gara me skuadrën japoneze, e cila menaxhohet nga “Provec”, me qendër në Katalonjë.
Rea thuhej se kishte oferta nga skuadra si Ducati, Honda apo Suzuki, por ai preferoi të qëndronte në “Superbike”, duke shtyrë skuadrat në fjalë të nënshkruanin me alternativat e tjera si Danilo Petrucci, Jorge Lorenzo apo Joan Mir.
Së fundmi, në garën e Brnos, Jonathan Rea arriti fitoren e 60 në karrierën e tij, duke thyer rekordin e Carl Fogarty me 59 fitore.