I blerë nga Benfica për shifrën e 120 milionë eurove, Joao Felix ishte një nga lëvizjet më të mëdha të merkatos europiane. Atletico Madrid nuk u vonua të nënshkruante me talentin portugez, menjëherë pas konfirmimit të largimit të Griezmann. 19-vjeçari ka treguar menjëherë impaktin e tij në ndeshjet miqësore të Atletico Madrid, ku ishte protagonist kryesor në fitoren 7-3 në derbin me Real Madrid. Joao Felix ka rrëfyer arsyet se përse ai zgjodhi transferimin tek ‘los rojiblancos’ dhe objektivat e tij për të ardhmen. Portugezi pranoi se kishte shumë oferta nga disa skuadra të mëdha, por vendosi të transferohej tek Atletico për shkak të mënyrës se si ky klub punon me lojtarët, e sidomos me talentet e rinj.
Dëshira për të qenë nën urdhërat e trajneri Diego Simeone ka qenë një tjetër aryse e fortë për të firmosur me Atleticon dhe Felix konfirmon se pati folur vetëm një herë në telefon me trajnerin argjentinas, çfarë kishte mjaftuar për t’u bindur. Talenti portugez është krahasuar shpesh me Cristiano Ronaldon, por 19-vjeçari mbetet ‘me këmbë në tokë’ kur thotë se kërkon t’i marrë gjërat hap pas hapi, ndonëse e pranon se një ditë dëshiron të bëhet po aq i suksesshëm sa idhulli i tij. Joao Felix deklaroi se frymëzohet nga historia e 5 herë fituesit të ‘Topit të Artë’ dhe për këtë kërkon të fitojë çdo trofe apo ndeshje të mundshme. Në fund, Felix foli me elozhe edhe për shokët e rinj të skuadrës, të cilët siç zbulon ai e kanë ndihmuar në çdo aspekt, çfarë ja ka bërë më të lehtë të përshtatet dhe të shprehet lirisht në fushën e lojës.