Pasi i përfundoi huazimi në radhët e Chelsea, me klubin londinez që nuk pranoi të blinte kartonin e tij, Joao Felix është rikthyer sërish në bazë, në radhët e Atletico Madrid, klub me të cilin ka një kontratë deri në verën e 2027-të.
Mirëpo, rikthimi në kampin e Rojiblancos parashikohet të jetë i përkohshëm. Fantazisti nuk gëzon një raport fort pozitiv me trajnerin e skuadrën Diego Simeone, pasi nuk është i kënaqur me mënyrën e lojës së teknikut argjentinas.
Mediat spanjolle raportojnë se lojtari dhe trajneri janë takuar sërish dhe kanë biseduar së bashku, mirëpo kjo nuk ka ndryshuar asgjë. Joao Felix vazhdon të mos ndryshojë mendim. Synimi i tij është të largohet nga “Estadio Metropolitano”.
Për të siguruar kartonin e tij në 2019-tën, Atletico shpenzoi plot 126 milionë euro në arkat e Benficas, e sot, për të shmangur sa më tepër humbjen, klubi spanjoll synon rreth 100 milionë euro për shitjen e 23 vjeçarit.
Deri më tani, ofertë konkrete nuk ka, por në mediat e huaja është diskutuar një interesim i mundshëm i PSG. Mendohet të jetë trajneri Luis Enrique, i emëruar në stolin e “Parc des Princes”, që preferon të ketë pjesë të organikës pikërisht një futbollist si Felix.
Gjithashtu, një informacion më i freskët vjen nga Anglia. Manchester United është duke bërë llogari ende për merkaton dhe Joao Felix mund të jetë një element që do t’i bënte mjaft punë trajnerit Erik ten Hag. Megjithatë, deri më tani, i sigurt mund të konsiderohet largimi i portugezit nga Atletico, ndërsa për të ardhmen e tij, pritet të hidhet më tepër dritë, në ditët e ardhshme të merkatos.