Joao Felix kërkon largimin nga Atletico Madrid. Madje që në merkaton e janarit. Sikurse raportojnë mediat e huaja, portugezi nuk është më I lumtur në kryeqytetin spanjoll, e për këtë arsye po shqyrton mundësinë e një tjetër aventure, ndonëse kontrata e tij përfundon në verën e 2026-tës.
22 vjeçari nuk është aspak I kënaqur me skemat e trajnerit Diego Simeone dhe diçka të tillë po e vuan psikologjikisht. Ndonëse e nisi sezonin në një mënyrë të përkryer, Felix tashmë ka përfunduar në stol dhe minutata po I merr me pikatore.
Për këtë arsye, numri shtatë kërkon largimin nga Estadio Metropolitano dhe një gjë të tillë e kërkon që në merkaton e janarit.
Për momentin, situatën e tij po e monitorojnë klube me peshë të kontinentit, por në veçanti janë Bayern Munich dhe PSG. Në fakt, bavarezët I kanë kërkuar shërbimet e Felix që prej disa sezonesh të shkuara, ndërsa tashmë janë hedhur sërish në sulm.
Po ashtu edhe PSG është duke bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, duket shumë e vështirë që Joao Felix të largohet nga Atletico që në afatin kalimtar të janarit. Rojiblancos nuk duan që të ndahen në këtë mënyrë me yllin e skuadrës së tyre, aq më tepër që ata besojnë ende se Felix do rikthehet të jetë sërish I rëndësishëm në formacionin e Diego Simeones.
Atletico shpreson që djaloshi në fjalë të zhvillojë një Botëror të mirë në Katar me Portugalinë e si pasojë çmimi I tij të pësojë rritje të ndjeshme. Kjo do t’I detyronte klubet e ndryshme që të trokisnin me një ofertë të majme në dyert e klubit spanjoll.
Më tej, mënyra e vetme që Atletico të pranojë shitjen e yllit portugez është zhbllokimi I klauzolës së tij prej 350 mln eurosh. Nëse ndonjë klub do tregohet I gatshëm të paguajë këtë shumë, atëherë, 10 herë kampionët e Spanjës do ishin të gatshëm të futeshin në negiociata.
Në këtë panoramë, e ardhmja e lojtarit më të shtrenjtë në historinë e Atleticos, e 127 mln euroshit, duket larg nga Estadio Metropolitano. Herët ose vonë, klubi pritet që të dorëzohet dhe të nisë negociatat për shitjen e tij.