Jo vetëm për sulmin, Milani ka piketuar dy mbrojtës për merkaton e verës

Sport

Në merkaton e verës, disa ndryshime të rëndësishme pritet të ndodhin në klubin e Milanit. Së pari, kuqezinjtë duhet të mendojnë për zëvendësuesin e Olivier Giroud, I cili me shumë mundësi nuk do të rinovojë, por ka vendosur të largohet për një tjetër aventurë. Më konkretisht, drejt Amerikës, në klubin e Los Angeles.

Në kushte si këto, krerët e 19 herë kampionëve të Italisë, janë duke shqyrtuar terrenin, që të sjellin në San Siro një pasues ideal të Giroud.

Mirëpo, nga ana tjetër, në verë, në radhët e Milanit, nuk do të punohet vetëm për fazën sulmuese, por gjithashtu edhe atë mbrojtëse. Nga informacionet e para, Milani ka piketuar dy emra për prapavijën. I pari është Alessandro Buongiorno I Torinos. Shtatlarti 24 vjeçar, konsiderohet si një element, që zotëron të gjithë përbërësit për të veshur fanellën e Milanit. Buongiorno është lojtar që di të përshtatet më së miri edhe në skemat me 3 mbrojtës, e po ashtu edhe në ato me 4.

Lojtari tjetër që Milani ka piketuar në prapavijë, është një djalosh 18 vjeçar I Boca Juniors, I cili quhet Aaron Anselmino. Argjentinasi sapo është bërë pjesë e skuadrës së parë të Bocas dhe me aftësitë e tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen e klubeve me peshë të botës, e këtu bën pjesë edhe Milani. Anselmino është spikatur nga skauti I klubit kuqezi, Geoffrey Moncada, ndërsa vlen të theksohet se në kontratën me Bocan, mbrojtësi ka një klauzolë largimi që shkon në kuotën e 20 milionë eurove.

Për shumëçka që u tha më sipër, një informacion më konkret, pritet të bëhet I ditur në të ardhmen e shpejtë.