Skuadra e Interit është e vendosur që në këtë sezon të përpiqet të ndryshojë hierarkitë në kampionatin italian. Blerjet e mëdha si Lukaku dhe Sanchez premtojnë shumë, ndërsa ata që kanë shkëlqyer që në fillim janë Stefano Sensi dhe Nicolo Barella. Në fazën sulmuese, skuadra e Contes duket si një nga ekipet më të frikshme në Europë. Por zikaltërit nuk krenohet vetëm me prezencën e Lukakut apo të Sanchez, edhe Lautaro Martinez të jep garancinë se kjo skuadër mund të shkojë vërtet larg. 22-vjeçari dha një tjetër përformancë të madhe me kombëtaren e Argjentinës, ku shënoi një tripletë në fitoren ndak Meksikës. Tek Argjentina, Lautaro nuk ka frikë të konkurojë edhe me emra të mëdhenj si Sergio Aguero apo Gonzalo Higuain ndërsa në ‘Serie A’ ai është përshtatur shumë shpejt.
Praktikisht, Martinez është një element i rëndësishëm për Contes, pasi sezoni është ende i gjatë dhe skuadra duhet të jetë e përgatitur mirë për sfidat e vështira që i presin në ‘Champions League’. Paraqitjet e Lautaros kanë rënë në sy edhe të skuadrave të tjera, mes tyre dhe Barcelona, që në fakt është një dëshirë e vjetër e talentit argjentinas. Megjithatë, vështirë se Interi do të heqë dorë kollaj nga 22-vjeçari. Sezonin e shkuar ai debutoi në kampionati italian, por ia doli të merrte pa problem çelësat e sulmit të zikaltërve, sidomos pas problemeve të klubit më Icardin. Edhe ky sezon ka nisur mjaft mirë argjentinasin që ka gjetur që në start rrugën e rrjetës dhe ‘bashkëjetesa’ me Lukakun në sulm duket se funksionon më së miri.