Jim Ratcliffe, miliarderi që kërkon të dërgojë Nice në ‘Champions League’

Sport

Sir James Arthur Ratcliffe, ose thjesht Jim Ratcliffe është një emër i njohur në botën e biznesit. Miliarderi nga Oldham i Britanisë së Madhe braktisi vendlindjen e tij për t’u transferuar në Francë, më saktë në Nice, aty ku synon të bëhet protagonist edhe në sport. Jim Ratcliffe është pronari i ri i skuadrës së Nice. Blerja e klubit kuqezi nga ana e ‘INEOS Group’, që është në pronësi të pasanikut britanik, kushtoi diçka më shumë se 100 milionë euro, shifër kjo që nuk duket shumë për një njeri që numëron mbi 20 miliardë euro në llogarinë e tij. Ardhja e presidencës së re sigurisht që ka ngjallur optimizmin tek tifozeria e Nice.

Në Francë, Ratcliffe ka filluar të krahasohet me emra si Al-Khelaifi apo Mansour dhe premtimet e bëra nga 67-vjeçari britanik janë të mëdha. Pas blerjes së Nice, ai deklaronte se synimi kryesor do të ishte pjesëmarrja e rregullt e skuadrës në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, ‘Champions League’. Kjo gjë sigurisht që kërkon investime të mëdha sa i përket afrimeve të disa yjeve me peshë në futbollin europian, por tek Nice duket të vendosur në planin e tyre.

Ratcliffe dhe përfaqësuesit e tij kanë zbuluar se nga merkato e ardhshme verore, drejtuesit e Nice do të fillojnë përforcimin e skuadrës dhe rritjen e aseteve të klubit, në mënyrë që të jenë një kundërshtar i denjë për ekipet kryesore franceze. Nëse gjërat do të shkojnë sipas planit, do të jetë mjaft interesante të shohësh PSG, të ketë një kundërshtar të ngjashëm, gjithësesi për të parë nëse diçka e tillë do të bëhet realitet apo jo, do na duhet të presim deri në verën e këtij viti.