Jesus Navas ka treguar se dashuria e tij për klubin e Sevilla është e veçantë. Disa ditë më parë, Sevilla raportoi se Navas do të largohej në fund të këtij sezoni, diçka që nuk është pritur aspak mirë nga futbollisti, i cili ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se ai nuk është kontaktuar për asnjë moment nga klubi, për të vendosur se ç’do të bëjë me të ardhmen e tij.
Mes rreshtave, Navas theksoi fillimisht se për të ishte menduar se ai do të largohej, për shkak se kishte marrë një tjetër ofertë më të mirë, diçka të nuk kishte asnjë vërtetësi. Sikurse e ka sqaruar vetë lojtari, ai nuk kishte bërë marrëveshje me asnjë klub.
Kjo situatë ka bërë që presidenti i Sevillas të reagojë menjëherë, duke thënë se në këtë mes do të ketë ndodhur ndonjë keqkuptim, kurse ngërçi është zgjidhur menjëherë.
Navas ka nënshkruar një kontratë tjetër, të vlefshme deri në fund të vitit 2024, por ai ka zgjedhur që nga kjo marrëveshje të mos përfitojë asnjë qindarkë. Me mirëkuptimin e presidentit, është vendosur që paga e 38 vjeçarit të dhurohet për fondacione të ndryshme, teksa gjithcka do të jetë transparente, për të mos ngritur as dyshim, apo keqkuptim.
Në letrën e tij publlike, drejtuar tifozëve, Navas ka thënë se do të jetë në mbështetje të klubit dhe skuadrës për të kaluar momentin e vështirë të rezultateve, e më pas do të tërhiqet nga futbolli.
Ky veprim, është një tregues se dashuria e Jesus Navas për Sevillan shkon përtej parave dhe në fakt, histori të tilla janë frymëzuese për shumëkënd, sepse janë dëshmi e gjallë, se futbolli është më shumë se një sport.
Jesus Navas është një produkt i akademisë së Sevillas. Ai ka luajtur 685 ndeshje me fanellën e skuadrës andaluziane, më shumë se çdo lojtar tjetër në histori. Në total janë 17 sezone të ndara në dy epoka me një total prej 8 trofesh të fituar.