Jerome Boateng, ylli i Bajernit të Mynihut, gjendet në telashe jashtë fushës së lojës. Mbrojtësi gjerman është akuzuar për agresion të rënduar kundrejt Sherin Senier, partnerja e tij dhe e ëma e dy vajzave të tij binjake, Soley dhe Lamia.Prokuroria e Mynihut kishte hapur një hetim në vitin 2018, por tashmë ka ardhur edhe një akuzë zyrtare. Megjithëse, të paktën sipas asaj që kanë bërë me dije avokatët e Boateng, këto akuza janë bazuar vetëm në fjalë që nuk mbështeten nga provat. Sidoqoftë, nga ana e Gjykatës është kërkuar një thellim i mëtejshëm i këtij hetimi, mbi episode të tjera të dhunës së ushtruar nga ana e mbrojtësit të Bajernit. Kjo, përderisa raportohet se ka pasur edhe disa momente të tjera dhune që kanë ndodhur vetëm 2 javë më parë. Raporti tepër i ndërlikuar mes Jerome dhe Sherin, ka nisur në 2007-n dhe u ndërpre në 2011-n, pas lindjes së vajzave. Por rifilloi edhe një herë në rrugë zyrtare në 2014-n.
Boateng nuk po kalon një periudhë të mirë edhe me Bajernin, ku është shndërruar në lojtar rezervë. Madje, në ditët e fundit të merkatos i ishte ofruar Juventusit si përforcim në mbrojtje. Dëmtimi i Giorgio Chiellini bëri që kampionët e Italisë të alarmoheshin, duke kërkuar një zëvendësues të mundshëm. Madje mësohet se drejtuesit e Juves gjetën marrëveshjen si me lojtarin, edhe me Bayernin, për një huazim të thatë të gjermanit. Por në momentet e fundit çdo gjë u prish pas një takimi mes drejtuesve bardhezi dhe trajnerit Sarri, i cili vendosi që skuadra të ecë përpara me katërshen e qendrorëve De Ligt, Bonucci, Rugani dhe Demiral.