Eleminimi i PSG nga Champions League duket se ka argëtuar jo pak të përdtshmet sportive europiane. Në Francë, “L’Equipe” thotë gjithçka me titullin “E gjitha kjo për këtë”, duke vënë theksin tek shpenzimet e mëdha dhe fjalët e shumta të lojtarëve parizienë që shpreheshin se do t’i shkonin deri në fund kompeticionit.
“Le Parisien” ndërkohë e quan skuadrën e Emery të përhumbur dhe shton se PSG mbetet ende skuadra e vogël në Europë. E përditshmja marsejeze “La Provence” duket se argëtohet me këtë dështim të radhës së PSG. Madje gazeta lokale krenohet me Zinedine Zidane dhe luan me banderolat e tifozëve parizienë, duke vendosur titullin “Zidane është magjik.”
Në Spanjë elozhet janë krejtësisht për kampionët në fuqi. “Për ata që mësojnë” është titulli që pasqyron diferencat e një klubi si Readl Madrid dhe PSG. E përditshmja shton se parizienët kanë folur shumë përapra ndeshjeve me kampionët në fuqi, duke harruar se historia nuk shkruhet me miliona.
Kurse “AS” e quan Realn cinik dhe që nuk e pa të arsyeshme të shpenzonte shumë energji për të mundur parizienët, të cilëve u mungonte dukshëm eksperienca. Ndërkohë “El Mundo” vendos si titull kryesor në pasqyrimin e kësaj ndeshjeje, “Kampionët mposhtin pasanikët e rinj të Europës”, duke vënë theksin tek shpenzimet marramendëse të presidencës pariziene, që tashmë duken të kenë shkuar dëm sa i përket objektivit Champions League.
Në Itali, “Corriere dello Sport” e quan “Ligji i Realit”, duke u përqëndruar tek performanca e madrilenëve. Ndryshe nga “Gazzetta dello Sport” që preferon ta quajë këtë sfidë si një tjetër dështim të PSG. Edhe në Angli preferojnë të thumbojnë francezët, duke theksuar se kartoni i kuq i Verrati ishte disi vendimtar, por me ato që u panë në fushë, PSG sërish do të dështonte. Në Gjermani, “Bild” i ka elozhet për Cristiano Ronaldo, të cilin e vendos në faqe të parë, ndërsa në Poloni përshëndesin PSG, që nuk dhuroi asgjë më shumë se vitin e kaluar.