James Rodriguez do të largohet nga Real nëse arrihet marrëveshja për Van de Beek!

Sport

James Rodriguez nuk duket se është në planet e trajnerit Zidane dhe largimi i mesfushorit nga Real Madrid mendohej të ishte çështje kohe. Për kolumbianin ka shfaqur interes të fortë Napoli, por italianët i kanë konsideruar të larta kërkesat pasi pretendojnë rreth 40 milionë euro.
Tratativat për largimin e James kanë ngecur dhe një nga arsyet duket se është edhe Van de Beek. Talenti i Ajaksit është prej kohësh nën vëmendjen e drejtuesve të Real Madrid dhe siç raportojnë edhe mediat spanjolle, vetëm nëse do të arrihet marrëveshja për holandezin, James do të lejohet të largohet drejt Napolit.
Për Van de Beek, Real Madrid ka bërë një ofertë fillestare prej 55 milionë eurosh, ndërsa tek Ajaksi pretendojnë të paktën 60 milionë, plus bonuset. Edhe vetë lojtari ka pranuar se ka patur një interesim përtë, por u shpreh i ndërgjegjshëm se emri i tij mund të jetë edhe plani B i Realit, në rast se “Los blancos” nuk arrijnë të firmosin me Paul Pogba.
Situata e këtij të fundit vijon të mbetet e njëjta, pasi ende asnjë skuadër nuk ka bërë ofertë zyrtare për të. Kështu, në ditët e fundit, Van de Beek është kthyer në një objektiv gjithmonë e më të rëndësishëm për madrilenët dhe shitja e James Rodriguez do të bëhej detyrim, pasi kolumbiani mund të sillte disa të ardhura për arkat e Florentino Perez, që gjatë kësaj merkatoje vere ka shpenzuar më shumë se 300 milionë euro për revolucionin e skuadrës së Zidane. Për James ndërkohë, veç Napolit, thuhet se interes kanë shfaqur edhe Atletico Madrid apo Juventus, ndonëse deri më tani një lajm i tillë është mohuar nga drejtuesit e klubeve në fjalë.