Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga starti i sezonit të rregullt në NBA, yjet kryesorë të skuadrave të ‘Konferencës së Perëndimit’ vazhdojnë të nxisin me deklaratat e tyre luftën për titullin kampion. Në perëndim, skuadra si Golden State, Houston Rockets, LA Lakers apo edhe Oklahoma City Thunder, kanë pretendimet e tyre për sezonin e ri. Së fundmi ka qenë radha e James Harden, liderit të Rockets, i cili në një intervistë të tij i ka hapur luftë rivalëve të skuadrës teksane.
“Fillimisht duhet të konfirmojmë rezultatin e mirë që arritëm vjet, ku e mbyllëm sezonin e rregullt të parët në Perëndim, gjë që duhet ta përsëritim edhe këtë vit. Nuk ka për të qenë e lehtë por as e pamundur. Janë shumë ekipe pretendente, por edhe ne jemi mes tyre dhe mund të duelojmë për titullin kampion, pa patur frikë nga askush”, tha Harden. Vjet Houston u mund në finalen e shtatë të play off-it nga Golden State, duke qenë vetëm një hap larg finales së madhe të NBA. Por kësaj radhe, Harden beson se skuadra ka mësuar mjaftueshëm për të thyer të gjithë kundërshtarët e saj. “Vitin e kaluar u ndalëm në momentin final, por këtë vit duhet ta kalojmë atë ngërç dhe të arrijmë finalen e madhe. Unë kam besim te skuadra, te lojtarët e stafi, ndaj mund të bëjmë ëndrrën realitet”.