James fiton përballjen me Irving, Dallas është shumë i fortë për Portland

Sport

Los Angeles Lakers siguruan fitoren e tyre të radhës teksa mposhtën me rezultatin 128-113 skuadrën e Brooklyn Nets. Ky takim vuri edhe njëherë tjetër përballë njëri-tjetrit dy ish-lojtarët e Cleveland Cavaliers, LeBron James dhe Kyrie Irving, që dhuruan spektakël me prezencën e tyre në parket. Gjithësesi, Lakers nuk e vunë asnjëherë në diskutim triumfin. Kalifornianët kaluan përpara që pas periodës së parë dhe në pjesën tjetër të lojës, ky avantazh do të thellohej. James bëri një paraqitje të jashtëzakonshme duke realizuar një ‘triple-double’ me 27 pikë, 10 asiste dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë. Nga ana tjetër, për Brooklyn u përgjigj Irving me 20 pikë, por James kishte edhe mbështetjen e Anthony Davis, i cili veç realizimit të 16 pikëve, fitoi edhe 11 duele për zotërimin e topit nën tabelë. Për ekipin njujorkez, kjo ishte humbja e 25-të në këtë sezon, çfarë vijon të mbajë të lëkundura pozitat e tyre sa i përket luftës për arritjen e fazës ‘play-off’.
Dallas Mavericks dhe Luka Doncic kaluan një provë shumë të fortë përballë Portland Trail Blazers, të cilët i mposhtën me rezultatin 133-125. Pas paraqitjes së madhe ndaj Golden State, lideri i Portland, Damian Lillad vazhdoi me të njëjtat ritme, duke realizuar 47 pikë, 8 asiste dhe 6 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Dallas ndërkohë më i miri ishte pikërisht Doncic, që kësaj radhe u ndal me 27 pikë, 9 asiste dhe 6 rikuperime të topit nën tabelë. Fatin e takimit e vendosën dy periodat e para, të cilat Mavericks i fituan me avantazhe të konsiderueshme e për më tepër, plot 7 lojtarë të teksanëve realizuan më shumë se 10 pikë, çfarë në fund bëri diferencën.