Jadon Sancho, talenti që po shkëlqen te Borussia Dortmund!

Sport

sancho
Që pas largimit nga Manchester City, tetëmbëdhjetë vjeçari Jadon Sancho është shndërruar në një yll të Borussias së Dortmundit. I lindur në Kennington, në një nga zonat më të trazuara të jugut të Londrës, Jadon iu largua familjes që në moshën 12-vjeçare. Endrra e tij ishte të bëhej futbollist dhe rrugëtimin e nisi te Watfordi duke kaluar më pas te Manchester City. Sot jo shumë vite larg nga ajo ditë është protagonist me Dortmundin në UEFA Champions League. Kurrë nuk e ka shkëputur lidhjen me të njohurit në Kennington. Herë pas here u dërgon fanella shokëve dhe ish-komshinjve, të cilët e konsiderojnë një idhull që tani. Një muaj larg nga festimi i 19-vjetorit, ai është i pari lojtar anglez i vitlindjes 2000 që ka përfaqësuar “Tre Luanët”. Dy vite më parë ai refuzoi të ripërtërinte kontratën me City-in. I ofrohej 30 mijë paundë në javë, por vendosi të lëvizte për në Gjermani te Dortmundi, vlera e kalimit 7.6 milionë euro.

GettyImages 1061962344

Gjithçka shpërblehet në fushë me 8 gola dhe 13 asiste duke i dhënë shpresë verdhezinjve të Lucien Favres për titullin e parë në Bundesligë që prej vitit 2012-të, por edhe për një ecuri të mbarë në Champions, atje ku mbetet ende kujtim zhgënjimi i 2013-ës në finalen e luajtur pikërisht në Wembley me Bayernin. Plot adoleshentë të tjerë duan të ndjekin shembullin e Sanchos dhe të gjejnë hapësira në Gjermani, mes tyre janë Reiss Nelson, apo Callun Hudson-Odoi, por 18-vjecari thotë se nuk ka qenë e lehtë përshtatja te Dortmundi. Ai ende nuk ka mësuar gjuhën, ndërsa si mesazh kryesor për fëmijët në Kennington jep ndjekjen e shkollës, një nga gjërat që atij s’i ka ecur dhe aq mirë. Sot Sancho rikthehet në Londër për t’u përballur me Tottenhamin, në Wembley stadiumin e ëndrrave, për kompeticionin e ëndrrave, UEFA Champions League.