Jack Wilshere mbetet në Angli, do të luajë me West Ham

Sport

jack 222
Jack Wilshere nuk është më një lojtar i Arsenalit. Mesfushorit i ka skaduar kontrata me “topçinjtë” e Londrës dhe largohet në këtë mënyrë si një lojtar i lirë. 26-vjeçarit në fakt i ishte ofruar një kontratë e re nga ana e Arsenal, që do ta mbante lojtarin në “Emirates” edhe për 4 vite të tjera. Por Wilshere mesa duket nuk ka qenë i kënaqur me drejtuesit e skuadrës dhe refuzoi këtë ofertë duke u komunikuar më pas edhe vendimin për t’u larguar. Për të kishin shfaqur interes skuadra të ndryshme si Milan, West Ham apo Fenerbahçe. Një kalim në Itali tek kuqezinjtë dukej si diçka e mundshme, por problemet e Milanit me UEFA-n apo edhe kërkesat e larta të anglezit bënë që tratativat mos të shkonin në faza të avancuara.

jack

Tek skuadra turke këto kërkesa të Wilshere mund të plotësoheshin, por ai zgjodhi të pranonte ofertën e West Ham. Një kontratë 3-vjeçare me opsionin e rinovimit për 1 vit dhe një pagë prej 6 milionë eurosh kanë bindur Wilshere të pranonte ofertën e “The Hammers”. Për më tepër, qëndrimi në Londër ishte edhe zgjidhja më e mirë për të dhe familjen e tij. Jack Wilshere ka zhvilluar 198 ndeshje me fanellën e Arsenal. Ai është një lojtar i dalë nga skuadrat zinxhir të “topçinjve” dhe Arsene Wenger e pati etiketuar si kapiteni që i kishte munguar Arsenal. Këtë sezon ai luajti 40 ndeshje për londinezët, ku shënoi 2 gola dhe shërbeu 7 asiste.