Real Madrid theu një tabu me fitimin e Champions League. Deri tani, asnjëherë nuk kishte ndodhur që Reali të festonte trofeun kontinental si në futboll, ashtu edhe Euroligën e basketbollit. Madridi i basketit ia doli të triumfojë në ligën evropiane për herë të 10-të . Por ky sukses, si kurrë më parë, është bërë “bis” nga Ramos me shokë, pasi “dopieta’ basketboll-futboll kishte dështuar gjithmonë në 3 raste të mëparshëm. Ndërsa, “Los Blancos” kanë ruajtur traditën që thoshte që sa herë e kanë mbyllur të 3-tët La Liga-n, kanë fituar gjithmonë Champions League-n. Situata është përsëritur në vitet 1956, 2002 dhe 2014 e tashmë u konfirmua edhe në 2018-n.
Përkimet historike nuk u kanë buzëqeshur “Reds”-ave të Liverpulit. Duke filluar nga ai që thoshte se skuadra e qytetit të “The Beatles” fitonte Champions-in, kur në Britani kishte dasmë mbretërore. Ndodhi në 81-shin e gjithashtu në 2005-n. Por fatkeqësisht, jo këtë vit, edhe pse Princi Harry u martua para pak ditësh…
Një tjetër kuriozitet që lidhet me fituesin e Eurovisionit prekte fitoret e të dy ekipeve. Këtë vit ishte Izraeli që triumfoi në festivalin e këngës. Njësoj si në 1978-n kur trofeu kontinental në fushën e gjelbërt fitua nga Liverpuli; si dhe në 1998-n, kur në Amsterdam triumfoi Reali. Mirëpo ja që “yjet” deshën që këtë vit, pas 2 dekadash, të ishte sërish radha e Realit të Madridit.