Ja skenari i kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2020

Sport

Skenari i kualifikimit të Shqipërisë në Europianin e ardhshëm varen shumë nga sfida e së premtes në Turqi. Kuqezinjtë nuk kanë asnjë mundësi matematikore për të prerë direkt biletën pas kësaj përballjeje, por as nuk eliminohen direkt nëse humbin apo barazojnë. Por gjithashtu një aleate për ta duhet të jetë Franca. Kështu, teksa Shqipëria do të shkojë në Turqi për të zhvilluar ndeshjen e radhës kualifikuese, në të njëjtën datë, Islanda pret Francën. E rëndësishme, veç suksesit të domosdoshëm me turqit, është edhe që francezët të fitojnë në fushën e Islandës. Në këtë mënyrë, duke marrë të mirqenë fitoren e Shqipërisë dhe atë të kampionëve të botës, Franca do të ngjitej në krye të grupit me 18 pikë, kurse kuqezinjtë do të kapnin islandezët me 12 pikë. Më pas të hënën, Shqipëria udhëton drejt Moldavisë, ku ka detyrën të fitojë patjetër. Teksa Franca pret Turqinë, në një sfidë që shihet si mundësi revanshi pas humbjes në takimin e parë të luajtur në shtëpinë e turqve.


Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, bashkë me fitoren e pritshme të Islandës ndaj Andorës, atëherë situata e grupit para 2 dueleve të fundit të nëntorit do të ishte ky: Franca 21 pikë, Turqia Shqipëria e Islanda 15 pikë. Avantazhi i kuqezinjve është se në program më 14 nëntor është dueli direkt mes Turqisë e Islandës, ku barazimi do të ishte më ideali, në një kohë kur skuadra e Rejës do të presë Andorën e eleminuar. Por edhe në rast të suksesit të turqve ose islandezëve, shoqëruar me tripikëshin e radhës të Francës ndaj Moldavisë, situata e grupit do të shihte sigurimin e vendit të parë nga “gjelat”, me 24 pikë. Kurse Shqipëria me18 pikë, po aq sa do të kishin Turqia ose Islanda (në varësi të sfidës direkte), të cilat mund të jenë edhe në kuotën 16, po barazuan. Në fund, Kombëtarja jonë pret kampionët e botës që mendohet të jenë të kualifikuar, ndërsa turqit e islandezët luajnë në transfertë përkratësisht ndaj Andorës e Moldavisë. Për kuqezinjtë edhe një barazim mund të bënte punë, por nëse do të kenë përmirësuar golaverazhin, të cilin për momentin e kanë +1, po aq sa Islanda. E ndërkohë duhet të kenë lënë së paku 3 pikë prapa sidomos Turqinë, që ka diferencë tepër të madhe golash. Edhe për këtë arsye, 90′ e së premtes do të jenë themelore.