Ja si shprehen Jindrich  Trpišovský dhe Dan Petrescu për duelin e sotëm

Sport

Jindrich  Trpišovský (trajner i Slavia Praha)

“Nëse dikush do të më kishte thënë 5 ose 6 vjet më parë se do të ishim një hap larg avancimit në grupet e Champions, as nuk do të kisha besuar. Javën e kaluar, Cluj tregoi se është një skuadër e rrezikshme. E kuptoj që ata duan të na e lënë ne rolin e favoritëve. Mirëpo sfida e parë tregoi se të dy ekipet janë tepër të balancuar. Mendoj se shanset janë ende 50 me 50. Jemi përgatitur njësoj sikur të mos ishte luajtur ajo ndeshje në Rumani, pasi këto do të jenë 90 minutat vendimtare për kualifikimin. Prandaj do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar. Skuadra ime duhet të vazhdojë me të njëjtin stil loje, si gjithmonë. Të jemi të përqendruar për të bërë atë që mund të bëjmë, sidomos duke ditur që luajmë brenda në shtëpi, aty ku jemi shfaqur gjithmonë të fortë. Por nga ana tjetër edhe Kluzhi është për t’u pasur kujdes, sepse e treguan me Selltikun sesa të rrezikshëm mund të jenë në transfertë”.

Dan Petrescu (trajner i Cluj)

“Slavia është një kundërshtar tepër i fortë që sulmon dhe fiton thuajse çdo ndeshje në shtëpi. Ata janë favoritët, le të tregohemi realistë. Veçanërisht për faktin që nuk arritëm të shënojmë gol, në takimin e parë në fushën tonë. Por gjëja që më shqetëson më shumë është se nuk kam disa lojtarë të gatshëm, për të tentuar të jem në nivelin e kundërshtarëve tanë. Do të na mungojnë 3 lojtarë të rëndësishëm si Culio, Vinicus dhe Tucudean. Ndërsa Sllavia do t’i ketë të gjithë në dispozicion. Për më tepër që vijmë edhe disi të lodhur pasi kemi luajtur 16 ndeshje në 46 ditë, ndërkohë që luajmë sfidën e 8-të në turet eleminatore të Champions League. E shoh pak të vështirë që të mund të japim maksimumin tonë në këtë sfidë të radhës që na pret. Gjithsesi, vetëm vetëm nëse do të bëjmë një ndeshje më të mirë se ajo e javës së kaluar, do të mund të kalojmë më tej”.